Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe menaxheri i UBT-CERT, Atdhe Buja, në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e CERT-it nacional të Republikës së Maqedonisë, me ç’rast u prit;n nga drejtori i Agjencionit për Komunikime Elektronike, Sasho Dimitrijoski, si dhe nga stafi i përbërë prej Aleksandar Acev e Jasmina Stojcheva.
Me qëllim të forcimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, në të cilin u përfshinë ngritja e nivelit të sigurisë kibernetike në të dy vendet, krijimi dhe realizimi i projekteve të përbashkëta, përkrahja e analizës dhe zgjidhjes së incidenteve të sigurisë kibernetike etj.
Duke i falënderuar përfaqësuesit e CERT-it maqedonas për përkrahjen dhe ofrimin e bashkëpunimit, rektori UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi tha se institucioni të cilin ai e drejton i jep rëndësi të madhe zhvillimit të sigurisë kibernetike, me qëllim të ndërgjegjësimit të gjeneratave të reja për këtë fushë.
“Ne si institucion i arsimit të lartë, gjithmonë e kemi pasur parasysh përgjegjësinë tonë për të gjeneruar kompetenca edukimi dhe dije në këtë fushë”, theksoi Hajrizi.
CERT-i nacional i Republikës së Maqedonisë shprehu gatishmërinë për të ndihmuar UBT-CERT-in dhe Republikën e Kosovës në rrugën e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë për siguri kibernetike, me ç’rast, në këtë rrafsh, ofroi edhe bashkëpunim në realizimin e konferencës së tyre vjetore në këtë fushë, që do të mbahet në maj të këtij viti.
UBT-CERT është divizioni i parë me licencë ndërkombëtare për siguri kibernetike në Kosovë.