Prof.dr.Edmond Hajrizi, disa orë pas hapjes së Konferencës Ndërkombëtare për Stabilitet, Teknologji dhe Kulturë “TECIS 2016”, që ka filluar sot paradite në Durrës, aktivitetin akademik e ka vazhduar në Tiranë, ku pasdite ka marrë pjesë në hapjen e aktivitetit për siguri kibernetike “Hack Day Albania 2016”. Me këtë rast, ai ka thënë për UBT-në se është një universitet me 15 vjet përvojë dhe i fokusuar në shkencat kompjuterike e inxhinieri.
“Kemi rreth 1000 studentë të rinj në vit, që regjistrohen dhe jemi ndër shkollat më të mëdha në këtë fushë”, ka thënë rektori Hajrizi. Ai ka shtuar se duke vazhduar me projektet të ndryshme, edhe me partnerët ndërkombëtarë, është vërejtur se siguria kibernetike është një temë shumë rëndësishme.
“Shihet edhe nga statistikat, se bizneset kanë humbje të mëdha në relacion me mosaftësimin për të marrë masa parandaluese ndaj rreziqeve, që paraqiten në pjesën e informacioneve të privatësisë e kështu me radhë”, ka vijuar rektori Hajrizi për të treguar se për këtë arsye në UBT po ngriten kapacitetet. “Kemi akredituar programin master në Sistemet e Informacionit, me fokus në sigurinë dhe privatësinë, sepse të dyjat shkojnë në mënyrë paralele”, ka vazhduar presidenti i UBT-së, prof.dr. Hajrizi.
Ka treguar gjithashtu se UBT-ja, në kuadër të vet, ka gjeneruar edhe qendrën e sigurisë dhe privatësisë, që është një CERT akademik.
“Kemi arritur që gjatë kësaj kohe, UBT CERT të integrohet në mekanizma ndërkombëtarë dhe mendoj që bashkë me ALCERT-in të jemi të hapur t’i gjenerojmë vlerat, për të arritur një qëllim të përbashkët, të ngrisim sigurinë kibernetike dhe të punojmë më gjerësisht në këtë drejtim”, ka shtuar rektori. Hajrizi, duke e cilësuar ngjarjen e organizuar si shumë të rëndësishme, është shprehur në favor të organizimit të një eventi mbarëkombëtar.
“Hack Day Albania 2016” është organizuar nga Ministria për Inovacion dhe Administratë Publike (MIAP) e Shqipërisë, si dhe nga Agjencia Kombëtare për Siguri Kompjuterike (ALCIRT). UBT-ja ka marrëveshje të nënshkruar bashkëpunimi me ALCIRT, teksa aktiviteti i nisur bëhet në kuadër të muajit të ndërgjegjesimit për siguri kibernetike. UBT-CERT, si partnere e ALCIRT po merr pjesë, duke u përfaqësuar edhe nga vetë rektori, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe menaxheri i UBT CERT, Atdhe Buja. Ata po marrin pjesë edhe në cilësinë e jurisë dhe të vëzhguesve të këtij aktiviteti, pasi që në ditën e dytë (të enjten) do të mbahen gara të hakerëve. Në hapje të aktivitetit Hack Day Albania 2016 të pranishmit i ka përshëndetur edhe drejtoresha e ALCIRT-it, znj. Rovena Bahiti. Aktiviteti do të zgjasë deri më 28 tetor.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, përshëndet edhe aktivitetin “Hack Day Albania 2016”