Në një ceremoni solemne të organizuar me rastin e shënimit të trevjetorit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP), presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe mbikëqyrësi kryesor shtetëror, z. Ruzhdi Jashari, në prani të të ftuarve, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.
Duke folur para të pranishmëve, prof. dr. Edmond Hajrizi tha: “Përveç që kam kënaqësi të jem pjesëmarrës në ceremoninë e shënimit të trevjetorit, ne si institucion arsimor kemi përgjegjësitë tona të larta që nënkupton ofrimin e kuadrove, hulumtimeve dhe zhvillimeve në këtë fushë. Ne si institucion, që e kemi numrin më të madh të studentëve në fushën e teknologjisë në Ballkan, e kemi futur në strategjinë tonë të hulumtimit dhe zhvillimit, po ashtu kemi krijuar një program të veçantë të studimit që ka të bëjë me sigurinë e informacioneve dhe privatësinë”.
Gjatë ceremonisë iu dorëzuan mirënjohje zyrtarëve të mbrojtjes së të dhënave personale, të cilët punuan me sukses nëpër institute të ndryshme në Kosovë.
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është institucion i pavarur dhe ka përgjegjësinë ligjore për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale.
UBT dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të bashkëpunojnë në aktivitete të ndryshme promovuese në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, me anë të të cilave synohet të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale, e drejtë që iu garantohet dhe me Kushtetutë si dhe ngritjen e kapaciteteve në këtë fushë.
UBT bashkëpunon me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale