Përfaqësuar nga menaxheri Atdhe Buja dhe Betim Gashi, UBT CERT, ka marrë pjesë më Konferencën e dytë “Albanian Security Forum”, hapjen e të cilës e ka bërë ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli. Konferenca është organizuar nga kompania BiZZ SHPK.
Në emër të UBT CERT-it, në konferencë u paraqit menaxheri, Atdhe Buja, i cili prezantoi punën dhe angazhimin që po bën ky CERT i UBT-së, i cili është i certifikuar edhe ndërkombëtarisht.
Sipas organizatorëve, konferenca kishte për qëllim të nxjerrë në pah peizazhin e kërcënimeve aktuale, strategjitë, metodat e zgjidhjeve, menaxhimin dhe trajtimin e rreziqeve të bazuar në triptikun: Teknologji – Njerëz – Procese. Po ashtu, kishte në fokus çështje të rëndësishme me të cilat përballen profesionistë në fushën e sigurisë – por edhe më gjerë, në jetën politike dhe sociale – të tilla si sfidat e reja të epokës së krimit kibernetik dhe kërcënimet teknologjike (drone, survejimi AV, etj.) por edhe rrjedha e madhe e emigrimit në rajon, format e reja të terrorizmit si dhe krimi i përditshëm.
Menaxheri i UBT-CERT-it, Atdhe Buja, ndërkaq, ka thënë se UBT si institucion i arsimit të lartë në Kosovë, ka themeluar UBT-CERT, që merret me trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe rasteve, qe kanë të bëjnë me aspektin e sigurisë kibernetike.
“Kontributi ynë shfaqet përmes programeve të edukimit, në aspektin e kërkimit dhe zhvillimit, të ofrimit të strategjive dhe politikave në aspektin e sigurisë dhe privatësisë”, ka thënë ai, për të shtuar se UBT-CERT është në kuadër të CSP-së , një institucion brenda UBT-së.
“Jemi bazuar në modelin akademik të Agjencisë evropiane për rrjet dhe siguri të informacionit”, ka shtuar Buja me sqarimin se UBT – CERT ka bashkëpunim me CERT-e të tjera qeveritare, si dhe me CERT-in nga Shqipëria.
“Synojmë anëtarësimin ndërkombëtar në organizata të mëdha evropiane e botërore, si organizata “FIRST”. Kemi ngritur një platformë dhe kemi krijuar një sistem për pranimin dhe regjistrimin e incidenteve të sigurisë kibernetike, ku përmes platformave online mundësojmë vetëshërbim, si dhe kemi sistemin e ndërgjegjësimit për siguri kibernetike, ku shpërndajmë informacion për komunitetin dhe studentët për lëshimet e sigurisë kibernetike”, ka thënë ndër të tjera Buja.
Nga kjo pjesëmarrje UBT-CERT ka krijuar kontakte me shumë institucione qeveritare dhe private në Shqipëri.
“Të gjithë u zotuan për bashkëpunim dhe zgjerim të partneritetit, si me “Protik”, “tech360grade”, studentë të Shkencave Kompjuterike e të Informacionit në Tiranë, “Bizz SHPK” etj.