UBT-CERT (Computer Emergency Response Team divizion), që është krijuar dhe funksionon në kuadër të UBT-së dhe Qendrës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (QSP), ka shënuar edhe një rezultat në punën e tij, është bërë pjesë e organizatës ndërkombëtare “Trusted Introducer”.
Në një proces kompleks aplikimi, që ka nisur muaj më herët dhe është përmbyllur këto ditë, UBT CERT ka plotësuar kriteret, si: gjenerimi dhe funksionalizimi i certifikatave digjitale për UBT-CERT dhe stafin; krijimi i partneritetit me CERT ndërkombëtar; ueb platforma funksionale https://csp.ubt-uni.net/cert/; përkrahja përmes votimit në TI nga pesë CERT ndërkombëtare etj.
UBT-CERT është institucioni i parë nga Republika e Kosovës, që anëtarësohet në këtë mekanizëm ndërkombëtar, duke e futur kështu Republikën e Kosovës në listën më të madhe të CERT-ve ndërkombëtarë.
UBT-CERT funksionon në kuadër të UBT-së dhe Qendrës për Siguri Kibernetike e Privatësi (QSP), ndërsa ka për synim formimin e ekipit të ekspertëve të sigurisë kibernetike, që do të jenë të gatshëm në përballje, trajtim, analizë dhe dhënie të rekomandimeve për incidentet, rastet e sigurisë kibernetike për sektorin akademik, privat dhe publik.
Që nga krijimi, synimi parësor i UBT-CERT ishte anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të fushës së mbrojtjes për siguri kibernetike.
UBT CERT ka nënshkruar edhe një marrëveshje me kryeministrinë e Shqipërisë, për bashkëpunim të përbashkët në fushën e sigurisë kibernetike.