UBT-CERT, i pari me licencë ndërkombëtare për siguri kibernetike në Kosovë, po vazhdon bashkëpunimin me CERT-et e tjera të shteteve rajonale e më gjerë.
Në këtë rrafsh, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe menaxheri i UBT-CERT-it, Atdhe Buja, të shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e AL-CERT, kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e CERT-eve qeveritare të Republikës së Maqedonisë dhe me atë të Republikës së Moldavisë.
Si tema parësore të diskutimit ishin: Zgjerimi i bashkëpunimit në programet konkrete të trajnimeve në ndërgjegjësimin për siguri kibernetike; konkretizimin e memorandumeve të bashkëpunimit me organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet 4 CERT-ve, ku UBT-CERT ka marrë rolin koordinues etj.
Në takime, sa herë që është përmendur UBT – CERT, është nënkuptuar vullneti i madh për bashkëpunim me këtë organizëm për siguri kibernetike.
Madje, të tri CERT-et janë shfaqur të gatshme për bashkëpunim me UBT – CERT, duke lavdëruar njëkohësisht për organizimin, që do të mbahet më 25 e 26 nëntor në UBT Kampus “Hack Day Kosova 2016, qw organizohet nga UBT-ja.
Gjithashtu, u shfaq edhe gatishmëria për pjesëmarrje të përbashkët në konferenca rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga takimi dolën edhe përfundime, rekomandime, si dhe plane për vitin 2017.
Do theksuar se planifikohen vizita me përfaqësuesit e CERT-it qeveritar të Republikës së Maqedonisë si dhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit.
Është planifikuar gjithashtu edhe organizimi i “Hack Day” në Republikën e Moldavisë, nga UBT-CERT në bashkëpunim me CERT-in e Shqipërisë dhe të Moldavisë, pasi që tashmë UBT – CERT ka përvojë me këto organizime.
Pos të tjerash, është arritur pajtueshmëria që CERT-et e këtyre shteteve të bashkëpunojnë në Programe të edukimit në fushën e sigurisë kibernetike.
Siguria kibernetike, një nga fushat më të rëndësishme për mbrojtjen e sistemeve të informacionit, ndihmon institucionet shoqërore, kompanitë dhe bizneset nga sulmet e mundshme kibernetike, që mund të krijojnë humbje të mëdha materiale dhe financiare. Madje, mund të ndikojnë edhe në çrregullime të mëdha të sigurisë shoqërore.

UBT – CERT thellon bashkëpunimin ndërkombëtar për siguri kibernetike